Shtyhet sërish seanca paraprake për Erion Veliajn

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 11:01 | Kronikë

Shtyhet sërish seanca paraprake për Erion Veliajn

Për të dytën herë është shtyrë seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme, për dosjen në ngarkim të Erion Veliajt, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë të pandehur.

Në seancë do të shqyrtoheshin akuzat penale të ngritura ndaj Veliajt dhe do të vendosej nëse dosja do të kalonte apo jo për gjykim të plotë.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 21 tetor, në orë 09:00. Shkak i shtyrjes u bë bojkoti i avokatëve për shkak të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit.

Veliaj ndodhet në burg që prej datës 10 shkurt, kur u arrestua nga autoritetet pas hetimeve të kryera nga SPAK. Më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest në burg" me një masë më të lehtë, duke lënë kështu në fuqi ndalimin.

SPAK kaloi për gjykim më 10 shtator dosjen në të cilën renditen 13 akuza për Erion Veliajn dhe 12 për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Akuzat për Veliajn janë ngritur për veprat penale korrupsioni pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe falsifikim të pasurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos