Prokuroria e Tiranës Akuzon Gjon Shkambin, xhaxhin e Elvis Shkambit, për vrasje të mbetur në tentativë, pas ekzekutimit të gjykatësit Astrit Kalaja të hënën e kaluar në sallën e gjyqit.
Prokuroria ka nisur procedimin penal për Elvis Shkambin për veprën “Vrasje e funksionarëve publikë”, dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, ndërsa për xhaxhin e tij ka nisur procedimin gjithashtu për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, për plagosjen nga nipi i tij i Rakip dhe Elvis Kurtajt, palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
“Shtetasi Gj.Sh., ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe indicie se ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë parashikuar nga neni 79 germa “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R. K. dhe E. K. Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij E.Sh., madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gj.Sh., gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të pasqyruara në sistemin deepsee (të administruara me procesverbal), për kanosjet me jetë që u janë bërë nga shtetasi Gj. Sh.”, thotë Prokuroria.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për Elvis dhe Gjon Shkambin do të zhvillohet të enjten në orën 8:00. Seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ku në seancë do të marrin pjesë vetëm palët ndërgjyqëse. (A2 Televizion)