Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Imer Krrashin, të riun që në përpjekje për t'i shpëtuar një kontrolli policor aksidentoi disa automjetet ne Unazën e Madhe pranë Liqenit të Thatë.
30-vjeçari ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit. “Jam penduar për ngjarjen. Kam qenë në gjendje paniku dhe ankthi kur ika. Nëna ime vuan nga kanceri, ndërsa babai më ka ndërruar jetë pak kohë më parë, ngjarje që e kam përjetuar keq. Atë ditë kam qenë në gjendje ankthi dhe paniku. Marr mjekime për ankthin dhe depresionin. Kam qenë në gjendje të rënduar emocionale. Marr përsipër të dëmshpërblej pasojat e veprimeve të mia, të paguaj dëmet ndaj personave që janë lënduar apo dëmtuar mjetet”, është shprehur i riu, të cilit pas ndalimit ju gjet dhe sekuestrua edhe një armë pa leje.
Të dielën e kaluar, Imer Krrashi (alias Imer Masha dhe Imer Uka), përplasi me makinë një efektiv policie jashtë shërbimi dhe bashkëshorten e tij, si dhe 9 mjete të tjera në përpjekje për t’i ikur patrullës së policisë që e ndaloi dhe kërkoi të ushtronte kontroll në mjetin e tij.
Autoritetet thanë se e kishin ndaluar Krashin pasi kishin informacione se mbante armë në makinë, siç edhe rezultoi nga kërkimi në mjet pas arrestimit të tij.
Krrashi rezulton të jetë person me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. (A2 Televizion)