
Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata po monitorohet nga strukturat e emergjencave civile. Sipas përditësimit të orës 14:00, gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 11 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë aktive, 5 nën mbikëqyrje dhe një është shuar.
Një prej vatrave më problematike vijon në Malin e Dajtit, në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës. Flakët janë aktive, ndërsa në terren po ndërhyhet me forca zjarrfikëse, efektivë të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe Forcave të Armatosura, të mbështetur edhe nga një helikopter. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara, shkruan A2CNN.
Zjarri vijon gjithashtu në Ballenjë të Dibrës, në një terren të vështirë shkëmbor, ndërsa një tjetër vatër aktive raportohet në Qafën e Helmës në Bulqizë. As në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Malin e Dardhës në Librazhd, zjarri është riaktivizuar duke përfshirë një sipërfaqe pyjore prej rreth 7-8 hektarësh. Ndërkohë, në Valikardhë të Bulqizës po vijon puna për izolimin e flakëve, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta.
Në operacionet për shuarjen dhe monitorimin e zjarreve janë angazhuar 65 forca operacionale dhe mjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë në terren 20 efektivë dhe një helikopter.
Ndërkohë, zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë të jenë nën monitorim. (A2 Televizion)