
Bashkia Pukë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan, për shkak të përhapjes së zjarrit dhe rrezikut për jetën dhe pronat e banorëve.
Urdhri është firmosur nga kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, në kuadër të masave të emergjencës për përballimin e situatës së krijuar nga zjarri masiv.
Sipas urdhrit, procesi i evakuimit do të kryhet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.
Prioritet në evakuim do t’u jepet fëmijëve, foshnjave, të moshuarve, personave me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara apo me rrezik të lartë nga flakët.
Banorët e evakuuar do të sistemohen në ambientet e Konviktit “Ali Bytyçi” në Pukë, ku, sipas Bashkisë, janë marrë masa për strehim, ushqim dhe shërbim mjekësor.
Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet logjistike të Bashkisë Pukë, MZSH-ja dhe Policia e Shtetit, ndërsa Forcat e Armatosura mund të angazhohen nëse kërkohet mbështetje shtesë. (A2 Televizion)