Për herë të dytë radhazi, procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme u ndërpre për shkak të braktisjes së sallës së gjyqit nga avokatët, të cilët u përfshinë në debate të ashpra me gjykatën dhe prokurorët e SPAK. Ata pretenduan fshehje të provave nga ana e SPAK dhe gjykim të njëanshëm e tendencioz, shkruan A2 CNN.
Mbrojtësit kërkuan me ngulm vënien në dispozicion të akt-marrëveshjes së të penduarit Erion Alibej me SPAK, si dhe gjashtë deklarimeve të dhëna prej tij në vitin 2022, para se të bëhej i penduar. Seanca e së martës u ndërpre pas largimit të avokates Elda Zotaj, mbrojtëse e interesave të Altin Ndocit, e cila la sallën pak çaste pasi kërkoi përjashtimin nga procesi të kryesueses së trupit gjykues, Engjëllushe Tahiraj, me pretendimin për gjykim të anshëm dhe sjellje intimiduese ndaj avokatëve.
Ndërprerja e procesit bëri që të dështonte edhe marrja e dëshmisë së të penduarit të tretë në këtë çështje, Skerdi Tasi, i cili ishte ulur në karrigen e dëshmitarit dhe ishte gati të fillonte rrëfimin.
Më herët, në një seancë që zgjati mbi dy orë, mes tensionesh, tonesh të larta zëri dhe tërheqjes së vëmendjes nga gjykata ndaj palëve për mënyrën e komunikimit, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për t’u vënë në dispozicion marrëveshja e bashkëpunimit e Erion Alibejt dhe gjashtë procesverbalet e deklarimeve të tij në vitin 2022. Por tensioni u fashit përkohësisht, pasi gjykata nuk ndodhej në sallë.
Përkundër përplasjeve të forta gjatë procesit, situata gjatë pushimeve të seancës ishte më e qetë. Në mungesë të gjykatës dhe prokurorëve, disa nga avokatët nuk i kursyen batutat me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani. Kur njëri prej tyre i tha se i kishte lënë klientin në burg, Dumani iu përgjigj: “Për atë punë, unë kam gjithë familjen në burg”, një batutë që u shoqërua me të qeshura në sallë.
Seanca e kaluar e të njëjtit proces u ndërpre pas largimit demonstrativ nga salla të katër avokatëve, të cilët më pas u ndëshkuan me gjobë nga gjykata. (A2 Televizion)