Vrasja e Santiago Malkos, dëshmon babai i të akuzuarit Leonard Duka: Nuk më ka trokitur njeri në derë për djemtë, janë të qetë

Nga Armand Bajrami
1 Korrik 2025, 12:13 | Kronikë

Vrasja e Santiago Malkos, dëshmon babai i të akuzuarit Leonard Duka:

Në seancën gjyqësore për vrasjen e Santiago Malkos, ka dëshmuar Muhamet Duka, babai i të akuzuarit Leonard Duka. I thirrur nga mbrojtja, ai ka deklaruar se nuk ka njohje personale me viktimën apo të përfshirët në ngjarje dhe se nuk ka pasur dijeni për ndonjë konflikt mes djemve të tij dhe personave të përmendur. Ai theksoi se është marrë me biznesin e vet dhe nuk është përfshirë në jetën shoqërore apo aktivitetet e të birit.

Pjesë nga dëshmia e Muhamet Dukës

Avokatja: A e njihni shtetasin Santiago Malko?

Duka: Nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë konflikt. Mesa di unë, as djemtë e mi nuk kanë pasur konflikt. Në dijeninë time, nuk e di nëse kanë pasur probleme me Ervis Martinajn, unë nuk e njoh.

Prokurori: Aleksandër Maxhaku, e njihni?

Duka: Është nipi im, djali i motrës, e thërrasim Leksi, Aleks, varet. Kam shumë vite pa e takuar, thuajse 6 vjet, nuk e di ku është. Dritan Again e njoh, është nga vendi ynë; një stërmbesë e jona e ka burrë. E kemi deri diku tonin, nuk është i huaj. Dritanin e kam parë, djemtë e mi si çunat që rrinë. Oltion Lokën e kam parë, e njoh nga lagjja. Ai ka pas banuar në Shëngjergj. Olti i thërrisnin shkurt, nuk e di me kë rrinte nga çunat. Fatmir Dogjën e kam dëgjuar në televizor. Ilir Selmanin e kam dëgjuar në TV, por si person nuk e njoh. Blendi Tetën nuk e njoh, e kam dëgjuar në media.

Shoqërinë e djemve nuk më ka rënë rasti t’i njoh. Unë merresha me tregti, me biznesin tim, kam pasur një lokal timin te Fresku. Punonim unë dhe nusja. Tani jam në pension. Leonardi ka pasur punët e veta, me biznesin e tij, me këto lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonte, nuk i jam përzier në punët e tij, ata janë të rritur.

Unë jetoj me bashkëshorten, ata jetonin vetëm me njëri-tjetrin. Ata rrinin me qira, nuk kam pasur shkuar te ata, unë rrija në Fresk, ata vinin te ne. Unë i kam ndihmuar kur kanë qenë të vegjël, kur u rritën, filluan jetën e tyre. Kanë qenë të qetë, s’më ka trokitur njeri në derë. Nuk di asgjë për shoqërinë e tyre. Në asnjë mënyrë nuk më ka ndaluar njeri në rrugë. Kam vetëm 2 djem, nuk di ndonjë rast që ata të jenë plagosur. Asnjëherë në jetë nuk ka ndodhur që të më ketë thënë dikush gjysmë llafi. As më ka goditur njeri, asnjëherë.

Prokurori: Jeni në dijeni të një pajtimi mes disa djemve me mbiemër Mumajesi?

Duka: E kam dëgjuar si mbiemër, Revelino Mumajesi e kam parë si çun lagjeje. Unë e di që djali paguante tatimet në shtet, ishte i rregullt. E kam takuar shumë rrallë. Ervis Martinajn e kam dëgjuar, as e njoh, as e kam parë ndonjëherë, në media e kam dëgjuar. Edhe emrin e Santiago Malkos e kam dëgjuar në media.

SPAK: Duhet pak kohë për të përgatitur pretencën.

Si u vra Santiago Malko?

Leonard Duka akuzohet si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos në vitin 2019. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë dhe u ekstradua në vendin tonë në gusht të po atij viti.

Santiago Malko, ish-punonjës i Policisë së Tiranës, mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar. Ngjarja ndodhi në zonën e Porcelanit në rrugën “Xhanfize Keko” kur drejt makinës së 26-vjeçarit Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Santiago Malko ishte një emër i njohur për autoritetet. Në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Tiranës ndërsa dyshimet e ekzekutimit të tij ishin për hakmarrje. Kjo pasi Malko mendohej se ishte i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit.

Për atentatin u dënua me 25 vite burg Blendi Teta ndërsa të shpallur në kërkim janë edhe vëllai i Leonardit, Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos