Tenton të ikë me vrap, arrestohet 31-vjeçari i armatosur

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2025, 09:59 | Kronikë

Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi qarkullonte i armatosur në qytet. I arrestuari ishte me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, shkruan A2 CNN.

“Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në kontrollet e ushtruara nëpër ambiente të ndryshme, ku mund të ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas lëvizte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Target”. Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lagjen nr. 9, në një lokal, në ambientet e të cilit u konstatua shtetasi A. Q., që dyshohej se ishte i armatosur”, tha policia.

Ky shtetas, sapo vuri re forcat e Policisë, ka tentuar të largohej me shpejtësi, me qëllim që të shmangte kapjen nga Policia, por u kap dhe neutralizua.

Nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër, municion luftarak dhe një shumë parash.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 31 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos