Tragjedia pas fotos intime në TikTok, Gjykata e Tiranës i refuzon lirimin nga qelia të Altin Çokut

Nga Armand Bajrami
5 Tetor 2025, 15:01 | Kronikë

Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën për lirim nga paraburgimi të Altin Çokut, personazhit të njohur të rrjetit social TikTok, i dyshuar si shkaktar i vetëvrasjes së 27 vjeçares, Sibela Abedini. 

41 vjeçari Çoku qëndron në qeli prej shkurtit të vitit 2024. Ai po gjykohet në gjykatën e kryeqytetit për “shkaktim të vetëvrasjes” dhe “përndjekjes” në dëm të gruas së re, nënë e një fëmijë të mitur, që dyshohet se i dha fund jetës nga tronditja emocionale e përjetuar pasi iu publikua një foto intime në rrjetet sociale në internet.

Me gjithë pretendimet e Çokut, për pamundësi shëndetësore për shkak të një deformimi fizik, Gjykata e Tiranës ka vlerësuar se nuk ndodhemi para një gjendjeje shëndetësore veçanërisht të rëndë, që i rrezikon jetën, se i pandehuri mund të marrë trajtimin e nevojshëm të specializuar nga Burgjet, apo spitalet publike dhe se ndaj tij nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë ligjore që të çojë në zbutje të masës së sigurisë.

Ngjarja për të cilën u arrestua 41 vjeçari ndodhi më 10shkurt 2024 në zonën e Bathores në Tiranë. 27 vjeçarja u vetëhodh nga një kat i lartë i banesës, duke marrë plagë që i shkaktuan vdekjen.

Çoku ka dëshmuar se e reja, me të cilën kishte pasur një raport intime, ishte shfaqur shumë e shqetësuar për publikimin e fotos, duke i thënë se do i jepte fund jetës. Nga ana tjetër, hetimit ka zbuluar edhe një bisedë, ku Çoku i thotë Abedinit ndër të tjera se ““Hije e zezë do të jem për ty! A e kupton se do të bëj të mbysësh veten ti. Kur te thënë se hije e zeze, hije e zeze. Ty do të bëj që tekalojsh në çmenduri, të shkojsh tek spitali nr 5”.

Pas arrestimit dhe gjatë hetimi i pandehuri Çoku ka mbajtur qëndrim mohues mbi akuzat, duke pretenduar se nuk e kishte publikuar ai foton intime të 27 vjeçares, por se e kishte bërë një shok i tij, me të cilinnuk kishte rënë dakord për një çështje borxhi.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos