Gjykata e Shkallës së Parë e Juriduksionit të Përgjithshëm Kukës, pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes dhe ka vendosur ketë të hënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki, të vënë në prangat e policisë për trafik armësh nga Kosova në Shqipëri.
Sipas burimeve për A2 CNN, ata u arrestuan të premten e 4 korrikut në vendin e quajtur “Ura e Hasit” nga blutë e Kukësit. Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki banues në Prizren i trafikonin armët nëpërmjet kufirit jeshil me Kosovën, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Pas kontrolleve të kryera, efektivët gjetën dhe sekuestruan 8 armë zjarri në bagazhin e makinës, secila të vendosura në çanta të ndara. Paraprakisht dyshohet se ata do t'ia shisnin 2 personave të tjerë të cilët u larguan sapo panë Shërbimet e Policisë të cilët janë ende në kërkim nga Policia e Kukësit.
Ky nuk është rasti i parë që policia ka shkatërruar grupe kriminale që merren me trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri. Rasti i fundit ishte ai më 30 maj ku pas një hetimi pesë mujor policia arrestoi 10 persona që merreshin me këtë aktivitet kriminal.
Drejtori i Pergjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda më herët e cilësoi model suksesi në rajon bashkëpunimin me policinë e Kosovës, duke iu referuar veçanërisht goditjeve të njëpasnjëshme të disa grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.
E për rastin e fundit në Kukës, ndau një falënderim për strukturat vendore të policisë, por edhe për qytetarët, që sipas Ilir Prodës, po besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit. (A2 Televizion)