Veliaj "liston" shkeljet e SPAK: Nga kallëzimi anonim tek dyshimet për eliminim politik

Nga Armand Bajrami
18 Gusht 2025, 17:43 | Kronikë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i kërkon gjyqtarit të Posaçëm, Erion Bani të shpallë të pavlefshëm hetimin e SPAK kundër tij. Në një material shkresor prej 77 faqesh, të përpiluar nga ekipi ligjor kryebashkiaku i pandehur për 4 vepra penale, i arrestuar prej shkurtit të këtij viti, liston si të parën shkelje regjistrimin e hetimit nga kallëzimi i një personi anonim të identifikuar si Nesti Angoni.  

“Vendimi i Prokurorisë për të regjistruar procedimin penal merr pamjen e një aktivizimi të qëllimshëm të ndjekjes penale mbi një bazë që nuk përmbush asnjë standard ligjor, duke e ekspozuar këtë akt si të nxitur jo nga dyshimi penal, por nga nevoja për të reaguar ndaj një sinjali publik të paautorizuar dhe të pasigurt”, thuhet në pretendimet e kryebashkiakut Veliaj.

Prokurori i SPAK, Olsi Dado, zë vend në një nga shkeljet e konsideruara nga mbrojtësit e Veliaj, sipas të cilëve, Dado nuk plotësonte kushtet ligjore për të qenë prokuror.  

“Çdo akt procedural i ndërmarrë prej tij (prokurorit Olsi Dado) në çështjen penale ndaj z. Veliaj, përfshirë vendimin për regjistrimin e procedimit, kërkesat për masa sigurie, autorizimet për veprime hetimore apo ngritjen e akuzës, janë të pavlefshme në mënyrë absolute”, vijon Veliaj pretendimet.

Mbrojtësit e Veliajt nënvizojnë shkelje edhe në kryerjen e veprimeve hetimore nga agjentët e BKH para regjistrimit penal nga SPAK, manipulim të afateve, përdorim të ekspertëve të brendshëm e shkelje të privatësisë dhe në përfundim pretendojnë se procedimi nuk ka pasur për synim drejtësinë, por përdorimin e ligjit për të riformatuar vullnetin e sovranit popullor.

“Motivi i gjithë kësaj sage shkeljesh të rënda proceduriale dhe kushtetuese, nuk është zbardhja e një vepre penale konkrete, por krijimi i një narrative penale për të zëvendësuar garën politike me eliminim procedurial. Dhe kjo, në çdo sistem demokratik, është forma më e rrezikshme e instrumentalizimit të drejtësisë dhe mbivendosjes së saj ndaj sovranitetit qytetar”, pretendon kryebashkiaku Veliaj.

Më 23 korrik SPAK mori të pandehur kryebashkiakun Veliaj për veprat penale të “korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”, “pastrimit të parave”, “fshehjes se mos deklarimit të pasurisë” dhe “futje e sendeve të ndaluara në burg”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos