
Është shtyrë për në datën 8 maj ora 14:00 seanca për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
A2CNN ka siguruar pamjet kur kryebashkiaku i Tiranës shoqërohet me pranga në duar nga efektivët për në furgonin e policisë, për t’u transportuar për në paraburgimin e Durrësit.
Veliaj ishte më herët në Gjykatën Administrative, nga ku e konsideroi rastin e tij si të paprecedentë, duke u shprehur se “është kallëzuar nga një anonim që nuk ekziston”, duke iu referuar Nesti Angonit.
Po ashtu Veliaj dhe avokati i tij deklaruan se Olsi Dado nuk i përmbush kriteret ligjore për të qenë prokuror.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në "arrest me burg" që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. (A2 Televizion)