
Me nisjen e vitit të ri shkollor, Policia do të shtojë masat e sigurisë pranë institucioneve arsimore. Drejtori i Policisë, Skënder Hita, tha se do të ketë më shumë efektivë në terren, veçanërisht gjatë pushimit të gjatë, me fokus te siguria rrugore dhe parandalimi i përdorimit të lëndëve narkotike.
Hita bëri të ditur se kontrolle do të kryhen brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, ndërsa strukturat e Policisë do të jenë të pranishme edhe për parandalimin e bullizmit dhe problematikave të tjera që prekin nxënësit.
Një tjetër fokus do të jetë siguria ushqimore. Sipas Hitës, Policia po bashkëpunon me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për kontrolle periodike në bizneset pranë shkollave, me vëmendje te skadenca e produkteve dhe kushtet higjieno-sanitare.
Në kuadër të projektit “Smart City”, në 20 shkollat e para janë vendosur kamera inteligjente. Sipas drejtorit të Policisë, teknologjia do të ndihmojë në reagimin më të shpejtë ndaj problematikave dhe në rritjen e sigurisë pranë komunitetit.
Hita theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes mësuesve, psikologëve, oficerëve të Policisë dhe bordeve të prindërve, duke nënvizuar se parandalimi duhet të jetë prioritet përpara reagimit.
“Kam kërkuar që masat të zbatohen në terren. Përgjegjësia është konkrete”, u shpreh Hita, ndërsa shtoi se strukturat përkatëse do të vijojnë punën për krijimin e një mjedisi më të sigurt për nxënësit gjatë vitit të ri shkollor. (A2 Televizion)