Vrasja e portugezit në Ksamil, policia gjen armën e krimit, e “zbuloi” dëshmia e DJ

Nga Armand Bajrami
23 Gusht 2026, 17:19 | Kronikë

Policia e Sarandës ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë thikën, që dyshohet të jetë përdorur në vrasjen e turistit portugez, Luis Mendez, më 18 gusht në Ksamil. Arma e ftohtë u gjet në një zonë me bimësi të dendur, shkurre, në një rrugë të pashtruar në periferi të Ksamilit.

Sendi metalik dyshohet të jetë hedhur aty nga Sokrat Vata, i lënë në “arrest në burg” si autor i dyshuar i krimit.

Burime pranë grupit hetimor të vrasjes së turistit 21-vjeçar bënë me dije se thika u gjet pas disa ditësh kërkimesh, në një zonë që u lokalizua përmes dëshmisë së dhënë nga DJ i kompleksit “Principotes”.

Pas ngjarjes, DJ, A. Zeneli, rrëfeu për hetuesit se mëngjesin e 18 gushtit kishte qenë te pjesa e restorantit, kur një grup kolegësh të panikosur i kanë thënë: “Merre Sokratin dhe çoje në spital, pasi ti ke makinë këtu afër”.

Më pas, ai ka parë t’i afrohej Sokrat Vata, i gjakosur, me dorën poshtë bluzës në pjesën e barkut, i cili po ashtu i ka kërkuar me nxitim ta çonte në spital.

Deklaruesi Zeneli ka pohuar se Sokrat Vata kishte hipur në pjesën e pasme të makinës dhe ishin nisur drejt qendrës shëndetësore të Ksamilit.

Pas 2-3 minutash ecje, në një rrugë të pashtruar, Vata i ka kërkuar të ndalonte mjetin. Referuar dëshmisë së dhënë në prokurori, DJ ka treguar se ka parë Vatën të dilte zbathur nga makina dhe, kur ka qenë disa metra larg, ka vënë re se ai ka hedhur diçka me forcë.

Sipas burimeve, thika e gjetur është dërguar për ekspertizë, për të verifikuar praninë e gjurmëve të gishtërinjve apo ADN-së në të dhe më pas për të bërë krahasimet e nevojshme, në kuadër të dokumentimit të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos