A2 CNN ka siguruar pamjet nga vendi i vrasjes së 30-vjeçarit Kristjan Marku në autostradën Levan-Vlorë.
Sipas të dhënave të policisë, viktima e këtij atentati, 30 vjeçari Marku, ka qenë një person me precedent të mëparshëm penal.
Marku është hetuar më herët për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, shkruan A2 CNN. Dyshimet për ngjarjen janë për hakmarrje. Me ngjarje dhe hasmëri të ndodhura në Kurbin. Pra që nuk i përkasin qytetit të Vlorës.
Mësohet se ndaj Markut është qëlluar me breshëri kallashnikovi, teksa ai po udhëtonte me makinën e tij.
Duke qenë se ngjarja ka ndodhur në autostradë, larg syve të njerëzve dhe kamerave, si dhe duke përfituar nga errësira dhe moti i keq, bëhet më e vështirë identifikimi dhe kapja e autorëve, pavarësisht se Policia ka ngritur disa postblloqe në qytetin bregdetar.
Po ashtu mësohet se disa minuta pas ngjarjes, në një distancë jo shumë të largët është gjetur dhe një automjet duke u djegur të llojit “Volkswagen Golf”, që dyshohet se u përket autorëve të krimit.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Informacion shtesë
Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me vrasjen me armë zjarri të shtetasit K. M., në autostradën Fier-Vlorë, pranë vendit të quajtur “Kripa”, është gjetur i djegur automjeti tip “Volkswagen Golf”, i dyshuar i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe këqyrjen e automjetit të djegur për të siguruar çdo gjurmë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
(A2 Televizion)