Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së djeshme, te mbikalimi i fshatit Dërmenas në Fier, ku u lënduan nënë e bir. Policia ka vënë në pranga një 66-vjeçar, ndërsa djali i tij 23-vjeçar është ende në kërkim.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm midis dy të rinjve. Autorët dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjetit ku ndodheshin 26-vjeçari dhe nëna e tij, 50 vjeçe.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të plagosur. Megjithatë, ngjarja ka degjeneruar më tej, pasi 23-vjeçari dyshohet se ka përplasur qëllimisht motomjetin me automjetin që drejtonte, duke shkaktuar dëmtimin e të dy shtetasve. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.
Autorët u larguan nga vendngjarja menjëherë pas incidentit, por policia arrestoi 66-vjeçarin A. C., ndërsa vijojnë kërkimet intensive për kapjen e djalit të tij.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, një automjet i përdorur nga autorët dhe tre aparate celularë që do të shërbejnë si prova në vijim të hetimit.
Njoftimi i policisë Fier
Fier/Zbardhet dinamika e ngjarjes së djeshme, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku u dëmtuan 2 shtetas.
Në bashkëpunim me djalin e tij, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të 2 shtetasve (nënë e bir), lokalizohet dhe arrestohet 66-vjeçari. Punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij.
Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja S. M. ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se 2 shtetasit (nënë e bir) u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2025, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.
Nga këto veprime dyshohet se shtetasit A. C. dhe A. C., për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit H. M. dhe S. M.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit H. M. dhe S. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.
Vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale "Vrasja me paramendim", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak". (A2 Televizion)