
Policia e Tiranës ka bërë publike detaje të reja në lidhje me ngjarjen e 6 dhjetorit 2025, ku një 26-vjeçar u plagos rëndë me sende të forta në rrethrrotullimin e zonës së Freskut. Janë identifikuar tre shtetas të përfshirë në këtë sulm të organizuar, njëri prej të cilëve është arrestuar.
Sipas Policisë, të dyshuarit Gj. N., 36 vjeç, dhe Xh. U., 30 vjeç, dyshohet se për motive të dobëta kanë porositur shtetasin H. M., 49 vjeç, për të kryer plagosjen. Të tre personat rezultojnë me precedentë penalë për krime kundër personit, ndërsa i arrestuari H. M. ka qenë më herët i proceduar edhe për armëmbajtje pa leje.
Gjatë operacionit, 49-vjeçari u vu në pranga, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e dy porositësve. Hetimet po zgjerojnë gjithashtu rrethin e personave të përfshirë, pasi dyshohet se në ngjarje mund të kenë marrë pjesë edhe individë të tjerë.
Ndërkohë, është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi T. D., 33 vjeç, i cili dyshohet të ketë shoqëruar autorin e dyshuar në vendin e krimit dhe ka refuzuar të deklarojë rrethanat e ngjarjes.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve. (A2 Televizion)