Zbriti në fushë dhe shtyu gjyqtarin në sfidën Apolonia-Gramshi, nis procedimi ndaj Koço Kokëdhimës

Nga A2 CNN
27 Mars 2025, 10:45 | Kronikë

Policia e Fierit ka nisur një procedim penal ndaj Presidentit të Klubit Sportiv Apolonia, Koço Kokëdhima, pas incidenteve të shënuara ditën e djeshme në stadiumin “Loni Papuçiu:”.

Gjatë ndeshjes që ekipi i femrave të Apolonisë luajti përballë Gramshit, Kokëdhima hyri në fushë dhe shtyu gjyqtarin e takimit, Dorjan Melataj.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale "Veprime të dhunshme në aktivitete sportive", pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin "Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M.”, njofton policia.

Ndërkohë, për shkak të tensionit sfida mes Apolonisë dhe Gramshit u ndërpre për 25 minuta. Në pamjet që u bënë virale në rrjetet sociale, dallohet që ish-deputeti Koço Kokëdhima dhe zyrtarë të ekipit fierak zbresin në fushë dhe i drejtohen gjyqtarit me fjalë fyese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos