Zjarri i madh që përfshiu disa magazina në rrugën “5 Maji” mbrëmjen e të enjtes në Tiranë ka lënë pasoja të rënda. Mëngjesin e të premtes disa vatra ishin ende aktive dhe zjarrfikësit po punojnë ende për shuarjen e të gjitha flakëve. Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një rezistencë për ngrohje, e përdorur këto ditë të ftohta janari, e cila është lënë ndezur.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur nga një dyqan dhe më pas është përhapur në të gjithë kapanonin, duke përfshirë rreth 100 dyqane. Dëmet janë të konsiderueshme, në vlera që arrijnë miliona euro, pasi shumica e dyqaneve kishin mallra tekstile dhe plastike, materiale që kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, përcjell A2 CNN.
Qytetarë dhe tregtarë të shumtë, të prekur nga kjo ngjarje, kanë qenë këtu që nga mbrëmja e djeshme. Në ndihmë kanë ardhur zjarrfikëset jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Elbasani dhe Vora, të cilat janë angazhuar gjatë gjithë natës.
Edhe tregtarët që nuk janë prekur drejtpërdrejt nga flakët ndihen të goditur, pasi për shumë prej tyre ky treg është burimi kryesor i furnizimit dhe puna e një jete të tërë.
Kjo zonë është një nga më të populluarat e Tiranës, ku çdo ditë kalojnë qindra mijëra qytetarë. Pikërisht për këtë arsye, ndikimi i kësaj ngjarjeje është zinxhir dhe prek edhe biznese të tjera në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilat furnizoheshin këtu.
Zjarri ka qenë shumë i vështirë për t’u shuar për shkak të përmasave të kapanonit dhe materialeve të ndezshme. Në disa zona nuk lejohet hyrja, për arsye sigurie, dhe aksesin e kanë vetëm strukturat përkatëse.
Sipas informacioneve, janë prekur rreth 100 dyqane, ndërsa disa zona të tjera kanë shpëtuar për fat të mirë. Era e rëndë e djegies ndihet që nga larg, veçanërisht për shkak të materialeve plastike dhe tekstile. Për tregtarët, kjo është një humbje e jashtëzakonshme, pasi për shumë prej tyre bëhet fjalë për investimin dhe mundin e një jete të tërë. (A2 Televizion)