Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar 5 botimet më të reja studimore, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.
Botime që japin një kontribut në historiografinë shqiptare, botime me tema historike, revista, por edhe botime që orientojnë studiuesit në procesin e kërkimit janë prezantimet e fundit të Drejtorisë së përgjithshme të Arkivave.
“Në pesë botimet e këtij viti, janë tre përmbledhje dokumentesh, një monografi dhe revista ‘Arkivat Shqiptare’. Për shkak të mungesës së mundësive për të lëvruar një shkencë të veçantë, siç është arkivistika, kemi vendosur të bashkojmë energjitë me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës për të zhvilluar një Konferencë periodike të Përbashkët të Arkivistikës, që është mbajtur përreth trevave shqiptare”, tha drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido.
“Bashkëpunimi ynë është i ndërsjellë. Besoj se do të vazhdojmëgjithmonë kështu. Sa i përket botimit tonë të përbashkët ‘Revistës Arkivore’, është e vërtetë që kemi trajtuar edhe aty shumë tema historike. Por, me procesin e digjitalizimit, është krijuar mundësia për përgatitjen e temave të tjera që lidhen me arkivistikën”, u shpreh Bekim Aliu nga Agjencia e Arkivave të Kosovës.
“Jani Vreto, korrespondencë me Sotir Kolean” është vetëm një nga botimet e këtij fundviti ku gjejmë dy mendimtarë të njohur të ndajnë përmes dorëshkrimeve jo vetëm detaje të profesionit, por edhe tregojnë ngjarje të rëndësishme për vendin.
“Ky nuk është botimi i parë mbi figurën dhe veprimtarinë e Jani Vretos. Por, në këtë botim kemi një vëllim korrespondence letrash të dërguara nga Jani Vreto për Sotir Kolean. Është i shkruar me dorë në alfabetin e Stambollit dhe i dërguar kryesisht nga Bukureshti dhe më pas nga Athina. Kjo përmbledhje dokumentesh synon të tregojë çfarë ka ndodhur dhe arsyet përkatëse të disa ngjarjeve të rëndësishme për Shqipërinë”, deklaroi studiuesi Sokol Çunga.
“Lëvizja e Qershorit 1924 në dokumentet arkivore” vjen nën kujdesin e studiuesve Elsa Saka e Fatjon Balliu.
“Ky botim vjen në kuadër të 100-vjetorit të Lëvizjes së Qershorit. Disa e kanë quajtur ‘revolucion’, disa ‘grusht shteti’, si dy terma që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit. Sot e kësaj dite, ka ende dilema mes studiuesve mbi këto terma. Por, ne kemi qëndruar neutralë, duke sjellë fakte nga ngjarjet e qershorit 1924. Kemi përzgjedhur për të pasqyruar ato dokumente, që i vijnë në dobi studiuesve apo të apasionuarve pas historisë, të krijojnë një ide të qartë mbi Lëvizjen e Qershorit”, tha studiuesja Saka.
Mes botimeve të reja nuk ka munguar as revista “Arkivat Shqiptare” që përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve nga të gjitha trojet shqiptare. (A2 Televizion)