Përvjetori i poetit, botimet e Lasgush Poradecit “shpluhurosen” për ekspozim

Nga Luela Myftari
25 Janar 2024, 17:08 | Kulturë

Në 125-vjetorin e lindjes së poetit Lasgush Poradecit, Biblioteka Kombëtare ka nxjerrë nga fondi veprat më të mira e ato më të rrallat për t’i ekspozuar. Bashkë me këtë ekspozitë, ambasada austriake ka ndarë edhe një botim special kushtuar Lasgush Poradecit.

Në mungesë të një reviste letrare në shqip, në mungesë të atyre mediumeve ku mund t’i bëhej jehonë veprës së Lasgush Poradecit, ambasada austriake ka një dhuratë të çmuar në këtë përvjetor të poetit.

Në 125-vjerorin e lindjes, një botim special, me poezi në dy gjuhë, me artikuj studimor, kritikë e biografikë është prezantuar si dhuratë në ambientet e reja të bibliotekës kombëtare Sotir Kolea.

“Shkrimtari i njohur Lasgush Poradeci tanimë do të njihet edhe më shumë në Austri. Këtu në Shqipëri është i famshëm, i njohur, por në vendet gjermanisht folëse shumë më pak. Por, kjo është e bukura e bashkëpunimeve. Një kulturë tjetër sot prezantohet me vargjet e mrekullueshme të Lasgush Poradecit. Ky është një nga bashkëpunimet që bëhen përmes letërsisë në fakt dhe jam i lumtur të them se edhe rezidencat letrare që nga viti 2018 kanë dhënë kontribut në këtë marrwdhënie mes dy letërsive”, deklaroi ambasadori i Austrisë Christian Steiner.

Ka qenë Lindita Komani ajo që ka përkthyer vargjet e Lasgushit për këtë botim dygjuhësh.

Prezantimi i këtij botimi të ri që është edhe filli i një bashkëpunimi mes dy letërsive tona, u shoqërua edhe me një ekspozim të librave më të rëndësishëm dhe më të vyer të Lasgush Poradecit në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Por, përtej atyre që lexuesi shqiptar njeh prej Lasgush Poradecit, mendohet se e bija ka edhe shumë vargjet e shkrime të pabotuara, të fshehura që nga koha e diktaturës. Që nga viti 1944, poezitë e Lasgushit u botuan vetëm tre herë dhe në të gjitha herët i censuruar nga pushteti. Nga ajo periudhë, shkrimtari zgjodhi të mos botonte më asgjë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos