Kryeministri Edi Rama ka ngritur tre grupe punën për kontrollin e Territorit në bashkinë e Tiranës. Gjatë fjalës së tij në takimin me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të bashkisë Tiranë, ai tha se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të drejtojë grupin për analizën e shërbimeve në Bashkinë e Tiranës. Grupi tjetër do të drejtohet nga ministri i Financave Petrit Malaj, për analizën e financave në bashki. Dhe grupi tjetër nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të territorit dhe ajo e planifikimit urban.
“Një grup që drejtohet nga Zëvendëskryeministrja në lidhje me analizën e shërbimeve në bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave dhe një grup që koordinohet nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe drejtuesen e Agjencisë së Planifikimit Urban dhe nën drejtimin e Persidës që përfshin rreth 60 arkitektë lokalë dhe një numër të konsiderueshëm të huaj të cilat kanë filluar të punojnë për modelet e ndërhyrjeve të këtyre lagjeve dhe zonave ku njerëzit kanë nevojë për hapësirë. Nuk mjafton vetëm lirimi dhe pastrimi, por duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që do të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës”.
Rama bëri të ditur se deri më tani janë evidentuar 1463 çështje ku shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me zënien e hapësirës publike.
“Kam përpara inventarin e problematikave të konstatuara në territor, mund të mos jetë shterues, por nëse thjesht dhe vetëm këto problematika do të adresohen si duhet është një garanci e padiskutueshme që do të sjellë një çlirim të madh një frymëmarrje të re të kryeqytetit dhe do të hapim perspektiva të reja për punët në vazhdim që së bashku me bashkinë e Tiranës do të bëjmë për të adresuar nevojën që në këto territore të ndërtohet hap pas hapi një mozaik i ri i një Rilindje Urbane 2.0. Kjo përmbledhje ka 1463 çështje të identifikuara, shumica dërrmuese e tyre janë të lidhura me zënien e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në bashkinë e Tiranës”.
(A2 Televizion)