Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të Bashkisë së kryeqytetit, ku në fokus ishte adresimi i problematikave në territor dhe nisja e një faze të re të transformimit urban.
Në fjalën e tij, Rama njoftoi se është identifikuar një sërë çështjesh konkrete që prekin jetën e komuniteteve në Tiranë. “Kemi 1463 problematika të evidentuara, shumica prej tyre të lidhura me hapësirën publike. Është një volum i madh dhe do të kërkojë kohë për t’u përballuar.”
Kryeministri falënderoi Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë për punën intensive që po kryen dhe theksoi se qytetarët duhet të kenë durim, pasi çdo ankesë do të trajtohet, shkruan A2 CNN.
Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e disa grupeve pune për të analizuar funksionimin e shërbimeve dhe situatën financiare të Bashkisë së Tiranës. Një grup drejtohet nga zëvendëskryeministri, një tjetër nga Ministria e Financave.
Rama theksoi se kjo qasje po shtrihet edhe në qytete të tjera si Durrësi dhe Shkodra, duke përmendur edhe ndërhyrjet e nisura pas situatës me ndërtimet e paligjshme në Theth.
“Është një përpjekje që po merr formë në gjithë territorin dhe kërkon angazhim të përditshëm”, u shpreh Rama, duke sinjalizuar se pas “Rilindjes Urbane” të parë, vendi po hyn në një fazë të dytë të thelluar të transformimit urban dhe administrativ. Kryeministri bën edhe një deklaratë të fortë duke thënë se do të ketë konfiskime për ndërtimet e braktisura.
“Do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ‘90 që qëndrojnë si karakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe shëndetit të njerëzve. Do sqarojmë edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit për ndërtimet”.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë bëri të ditur se paketa e reformës së territorit do të zhvillohet në dy faza.
“Paketa e re e reformës së territorit do të ketë 2 faza. Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet. Do të jetë pastaj një fazë të dytë më mbrapa ku do rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin që është shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet jashtë kohe. Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme”.
Rama paralajmëroi gjithashtu edhe masa drastike sa i takon kantierëve të ndërtimit.
“Problem me kantierët e ndërtimit. Kantiere që nuk janë kantiere, ndotje e patolerueshme dhe për këtë arsye do të bëhet një ndërhyrje kuptimplotë në raport me kantieret e ndërtimit për ta bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi. Ka një sport tjetër që zhvillohet në Tiranë dhe zona bregdetare; ata zhvillues që marrin një leje, por ende pa e marrë lejen në dorë kuturisen të hapin gropa. Me abuzivizëm përdoret një nen për punime paraprake që kanë prodhuar edhe pallate pa leje. Edhe për këtë masat që do të marrin do të jenë drastike”. (A2 Televizion)