Bashkëdrejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Endri Shabani tha në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se rreth 20% e votuesve nuk kanë vendosur ende sesi do të shprehen në kutinë e votimit më 11 Maj.
Ai e konsideron këtë numër votuesish, një “hambar” votash për partitë e reja që garojnë në këto zgjedhje, duke u shprehur se figurat e reja politike mund të përbëjnë deri në 15% të ligjvënësve në Kuvendin e ri.
“Po i marrim sondazhet për të mirëqena. Sistematikisht të paktën po të marrësh koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” shkon në sondazh rreth 10%, ndërkohë ke stilistikisht rreth 17 deri në 20% që nuk kanë vendosur ende. Unë besoj se këto 17 deri 20% nuk do vendosin kë do të votojnë, Ramën apo Berishën se janë vendosur ato që në ’90. Unë besoj se të pavendosurit nuk e kanë vendosur se kë do të votojnë nga të rinjtë, ndaj këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm që të rinjtë të jenë në Parlament, ndoshta ,me 10-15% të vendeve në Parlament. Po e zëmë që hyjnë më pak: 1, 2, 3, 4”, tha Shabani në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN. (A2 Televizion)