25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, Ferit Hoxha: Leksion bashkëjetese rajonit, të ruhet dhe zbatohet

Nga Indrit Maraku
12 Gusht 2026, 16:24 | Politikë

Çerekshekulli nga Marrëveshja e Ohrit, që garantoi të drejtat e shqiptarëve si etni shtetformuese në Maqedoninë e Veriut, përkon me një tjetër moment tensioni ndëretnik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me replikat e fundit mes Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë kontekst, shefi i i diplomacisë së Tiranës ndau një editorial me reflektimet e tij mbi këtë 25 vjetor: “Ky është edhe mësimi më i rëndësishëm që Ohri i jep sot rajonit. Paqja nuk konsolidohet vetëm duke idhënë fund konfliktit; ajo bëhet e qëndrueshme kur mishërohet në institucione, në të drejta, në mundësi të barabarta dhe në besim të ndërsjellë. Një marrëveshje paqeje e përmbush misionin e saj jo vetëm kur heshtin armët, por kur brezat që vijnë nuk kanë më arsye t'u kthehen atyre”. 

Ministri i Jashtëm këshillon që Marrëveshja e Ohrit të mos shihet si një dokument i ngrirënë kohë, por si një kontratë politike që kërkon kujdes e vëmendje, sepse mbetet përcaktuese për të ardhmen: “Shqipëria ndan bindjen e palëkundur se paqja e qëndrueshme në Ballkan ndërtohet duke afruar njerëzit, duke forcuar institucionet demokratike, marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, duke respektuar të drejtat e njeriut, dhe duke i dhënë gjithë shoqërisë, pa asnjë dallim, arsye për ta parë të ardhmen brenda të njëjtit projekt. Ohri e hapi këtë rrugë njëzet e pesë vjet më parë. Detyra e brezit të sotëm është ta çojë më tej”. 

Një përvjetor që, sipas Ferit Hoxhës, duhet shoqëruar me një analizë mbi shkallën dhe cilësinë e zbatimit të marrëveshjes: “Zbatimi i plotë i frymës së Ohrit mbetet punë në vazhdim: debatet e këtij viti rreth përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë kujtojnë se të drejtat e fituara në 2001 kërkojnë vëmendje dhe kujdes institucional të vazhdueshëm, jo vetëm përkujtim solemn. Maqedonia e Veriut e sotme nuk është ajo e vitit 2001. Shoqëria ka ndryshuar. Rajoni ka ndryshuar. Evropa ka ndryshuar. Edhe vetë kuptimi i sigurisë, i sovranitetit dhe i bashkëpunimit ka ndryshuar”. 

Për Shqipërinë, Ohri nuk duhet parë si akti që i dha fund konfliktit dhe ndarjes, por si marrëveshja që mësoi të gjithë si të ndërtojmë paqen, përfundon Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos