
Projekt-Buxheti i Mbrojtjes 2026 është më ambiciozi që prej anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kështu ka deklaruar ministri i mbrojtjes Pirro Vengo në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes teksa prezantoi 5 drejtimet kryesore, nga uniformat te rritja e pagave për ushtarakët.
“58.9 mld lekë, +12% ndaj 2025. 2.12% e PBB-së. Sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes prezantova 5 drejtimet kryesore: Dinjiteti i uniformës, rritje e pagave dhe e benefiteve për ushtarakët”, shprehet Vengu.
Sipas tij misioni i Forcave prevalon në ndarjen e buxheteve dhe çdo qindarkë sipas tij do të shpenzohet për rritje të kapaciteteve ushtarake, emergjenca dhe prestigj në Aleancë.
“Ringritja e industrisë “Made in Albania”, mjete të blinduara, municione, sisteme anti-dron etj. Emergjencat Civile, flotë e re kombëtare, qendra rajonale të emergjencave dhe financim më i drejtë për zonat me risk. Një buxhet sigurie, një buxhet zhvillimi, një buxhet krenarie kombëtare”, thekson Ministri i Mbrojtjes. (A2 Televizion)
