Demokratët do t’i rikthehen protestave. Këtë herë jo me tubime masive para zyrës së Kryeministrit Edi Rama, por me një foltore ku zërat opozitarë do të bëjnë denoncimet e tyre.
E hëna e javës së ardhshme, do të jetë dita e parë kur zërat opozitarë do të dëgjohen në bulevard, ngjashëm siç ka ndodhur në vitin 2017 kur Lulzim Basha ishte në krye të Partisë Demokratike dhe instaloi çadër duke zhvilluar për tre muaj me radhë aktivitetin politik aty.
“Dita e hënë do të jetë e fillimit të parlamentit para kryeministrisë të qytetarëve dhe parlamentarëve. PD ndërmerr tani një fillim të ri, një analizë të plotë të gjendjes në vend, të situatës”
Në foltoren që do të ngrihen në bulevard, do ngjiten deputetë dhe qytetarë. Berisha në një konferencë për mediat theksoi se deputetët përveç fjalimeve në bulevard, do të kenë për detyrë edhe të dalin në terren për të takuar bazën e partisë, shkruan A2 CNN.
“Do jenë deputetë dhe qytetarë. Natyrisht kjo është një kohë që PD është e detyruar të punojë njëkohësisht në shumë plane. Ne do fillojmë tani takimet dhe analizat në çdo qelizë tonën. Deputetët do të jenë edhe në platformë, edhe në komisione, edhe në parlament, do jenë edhe në takime me qytetarët”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, foltorja para kryeministrisë do të shoqërohet edhe me protesta kombëtare. “Protesta kombëtare do përcaktohet skenari. Ajo do thirret në momentin e duhur. Fillimi është ky me këtë parlament-protestë para kryeministrisë. Dhe pastaj do punohet për thirrjen e një proteste të përgjithshme, skenari i të cilës do përcaktohet”.
Protesta kombëtare Sali Berishës i është kërkuar edhe nga baza e partisë, ku në takimin me krerët e degëve i është thënë që duhen tubime të qëndrueshme, por edhe ngujim apo grevë urie e deputetëve në Kuvend. (A2 Televizion)
