“700 familje shqiptare do dëbohen”. Rama kundër sekretares britanike: Akt i pahijshëm demagogjie

Nga Fjorela Beleshi
19 Nëntor 2025, 14:59 | Politikë

Emigrantët shqiptarë vijojnë të mbeten një “ushqim” për politikën në Britaninë e Madhe. Pas ish-sekretares Braverman dhe politikanit populist Nigel Farage, është Sekretarja e Brendshme laburiste Shabana Mahmood e cila kërkon të dëbojë familjet shqiptare që nuk kanë përfituar azil në shtetin e saj. Edhe pse vetë vjen nga një familje emigrantësh, në Parlamentin Britanik ajo e bëri të qartë se qeveria e saj nuk do të jetë tolerante me 700 familjet shqiptare, duke iu ndërprerë atyre ndihmën financiare.

Me politikanët britanikë duket se Kryeministri Rama nuk po gjen qetësi. Këtë veprim ai e cilëson si një politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Si mundet një Ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare – një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post-Brexit – pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm. Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe.

Kryeministri Edi Rama, “X”

Shefi i qeverisë shqiptare, i zhgënjyer nga Partia Laburiste për këto deklarata, shkon më tej duke akuzuar Britaninë e Madhe se ka dështuar në respektimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve.

Kufizimet e lëvizjes dhe të vizave nga pala britanike mbeten një relike dështimi e epokës Braverman, që dëmton si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve, ashtu edhe ekonominë britanike. Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë – nga mbrojtja te kontrolli kufitar – dhe jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët, duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara, përfshirë grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla. T’i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë, është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie.

Kryeministri Edi Rama, “X”

Rama shkruan se shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe se numri i shqiptarëve që marrin përfitime në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos