Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për reformën e re administrativo-territoriale, duke e paraqitur atë vetëm me firmat e deputetëve socialistë anëtarë të komisionit të posaçëm, pasi nuk u arrit konsensus me Partinë Demokratike.
Sipas projektligjit, propozohet reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46. Drafti parashikon gjithashtu një strukturë të re me 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Në dokument bëhet një ndarje mes bashkive dhe qyteteve, duke i trajtuar ato si kategori të veçanta.
Ndryshimet nuk prekin ndarjen në qarqe, duke shmangur kështu nevojën për ndërhyrje në Kushtetutë. Reforma parashikon krijimin e 13 bashkive të reja përmes bashkimit të bashkive ekzistuese. Në veri, Puka do të bashkohet me Fushë-Arrëzin, ndërsa Klosi me Matin.
Në Shqipërinë e Mesme, Rrogozhina do të bashkohet me Kavajën, ndërsa Rinasi do t'i kalojë Tiranës. Në Jug, Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë Berat. Patosi do të shkrihet me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Maliqi me Korçën, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, ndërsa Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin. Gjithashtu, Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin.
Drafti i depozituar do t’u dërgohet bashkive dhe këshillave bashkiakë, të cilët kanë një afat prej 60 ditësh për të dhënë opinionet e tyre. Pas përfundimit të këtij procesi konsultimi, projektligji pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas të votohet në Kuvend gjatë sesionit të ri parlamentar, në muajin tetor.
Aktualisht, reforma mbështetet vetëm nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate. Partia Demokratike ka kundërshtuar uljen e numrit të bashkive, duke propozuar ruajtjen ose shtimin e tyre. (A2 Televizion)