Kurimi i të prekurve me tumore do të zhvillohet sipas modelit që vjen nga Milano. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e quajti vendimin e qeverisë për krijimin e Institutit Kombëtar të Tumoreve si historik dhe një sfidë personale.
“Do të ketë tri fusha veprimi: fushën klinike (që përfshin shërbimet e kirurgjisë, kimioterapisë dhe radioterapisë), fushën e mësimdhënies, si dhe fushën e kërkimit shkencor, e para e këtij lloji në Shqipëri”, tha ministrja, përcjell A2 CNN.
Tek aspekti i studimit shkencor, ministrja e Shëndetësisë u ndal më gjatë, duke shpjeguar se kjo do të mundësojë jo vetëm sigurimin e fondeve europiane, por edhe akses në barna inovatore.
“Brenda kësaj fushe do të ngrihet njësia e studimeve klinike dhe kjo ka rëndësi të veçantë, sepse mundëson që pacientët shqiptarë të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare, pra të kenë akses në barna inovatore dhe në studime inovatore. Do të kemi mundësi të përfitojmë fonde europiane për inovacion, si për barna ashtu edhe për teknologji”, shtoi Sala.
Një tjetër vendim i qeverisë lidhet me heqjen e kufirit të moshës për përfitimin e shërbimit të check-up-it falas. Me përfundimin e kontratave koncesionare për check-up-in dhe dializën, respektivisht në shtator dhe nëntor, shërbimet do t'i kalojnë shtetit dhe do të ofrohen nga institucionet publike, njoftoi ministrja Sala. (A2 Televizion)