Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e quajti të papranueshëm qëndrimin e Partisë Demokratike për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së huasë me SHBA-në për financimin e Forcave të Armatosura. Ai i kërkoi opozitës që siguria kombëtare të mos jetë pjesë e debatit politik.
“Të atakohet një marrëveshje që financon mbrojtjen është e papranueshme. Unë mendoj që, kur vjen puna te siguria kombëtare, nuk ka krahë politikë dhe, sidomos kur vjen puna te marrëdhënia dhe marrëveshja që kemi me SHBA-në, nuk duhet të ketë krah politik”, tha ai.
Sipas tij, shpenzimet për armatime nuk lidhen me samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë, por me angazhimet e Samitit të Hagës.
“Është vendosur rritja e shpenzimeve për atë që quhet angazhimi i Hagës: 3.5% shpenzime të lidhura vetëm me mbrojtjen dhe 1.5% që janë të lidhura me mbrojtjen, si siguria kibernetike, infrastruktura kritike etj.”, shtoi ministri.
Vendosja e sekretit shtetëror mbi marrëveshjen, shpjegoi Nufi, lidhet edhe me faktin se bëhet fjalë për teknologji amerikane, përdorimi i së cilës, sipas tij, është tregues i besimit ndaj Shqipërisë.
“Patjetër që marrëveshja monitorohet rreptësisht nga pala amerikane. Bëhet fjalë për transferim teknologjie. Bëhet fjalë për supremaci teknologjike dhe ushtarake. Nuk ka asnjë mundësi që kjo marrëveshje të mos jetë gjatë gjithë kohës nën mbikëqyrjen e palës amerikane, qindarkë për qindarkë”, tha ministri.
Pagesat për fondin prej 302 milionë dollarësh do të kalojnë nga Ministria e Financave te prodhuesit e teknologjive, pa cikle ndërmjetëse, pohoi Nufi. (A2 Televizion)