
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se arrestimi në Francë i Ermal Beqirit dëshmon rrezikshmërinë e madhe që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Europën.
“Ergys Agasi për muaj të tërë nuk u shpall në kërkim dhe këtu para jush, me 24 prill të vitit 2026, kam denoncuar se Agasi dhe Beqiri nuk janë në kërkim ndërkombëtar. E vërteta është se në muajin prill, Agasi ka blerë dy avionë personalë në Austri. Blerja e të cilëve kërkon autorizime të disa institucioneve të Austrisë, vend me një shtet ligjor ndër më të konsoliduarit. Jo vetëm që ka blerë avionët në Austri, por ai në qershor ka regjistruar në Slloveni, njërin nga këta avionë dhe biznesin e tij. Ndërkohë gjatë këtyre muajve, janë të vërtetuara një seri fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe vendeve të BE”, tha Berisha në konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
“Pra, me 24 prill ne denoncuam këtu se Agasi dhe Ermal Beqirin nuk janë në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që urdhër-arresti për ta ishte i datës 25 dhjetor 2025. Pra, edhe katër muaj më vonë, këta nuk ishin. Agasi është i qetë, drejton të gjitha aktivitetet e tij herë nga Durrësi, herë nga Surreli, herë nga Manza, ku t’i dojë qejfi. Kurse Beqiri ndërmori veprimtaritë e tij në disa vende anëtare të BE siç janë Austria, Sllovenia dhe Franca”, shtoi ai. (A2 Televizion)