Drejtuesi i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, është shprehur se janë pranë fitores së një mandati deputeti në Fier.
Komentet Lapaj i bëri në një prononcim për mediat, ku tha se atyre u duhen edhe 1000 vota që të sigurojnë mandatin e deputetit.
Ai shtoi se me projeksionin aktual të votave në Fier dhe me projeksionin aktual të votave të diasporës, subjekti politik që ai drejton mund të arrijë në 9000 vota, duke i marrë mandatin PS-së.
Lapaj shtoi gjithashtu se votat që ata kanë marrë janë vota dinjiteti, teksa shton se mos-bashkimi i ka penalizuar partitë e vogla në këto zgjedhje.
“Ne po kujdesemi që çdo votë e hedhur nga qytetarët të numërohet. Po numërohet në çdo tavolinë. Me këtë projeksion që jemi tani, mendoj se mandati i parë për lëvizjen tonë do të jetë në qarkun e Fierit.
Sepse me projeksionin që jemi tani, në Fier kalojmë 7000 vota dhe me projeksionin e votës së diasporës sigurojmë 2000, pra arrijmë 9000 vota dhe mendojmë se mandati do të na përkasë ne.
Unë bëj pjesë te ata njerëz që kanë hyrë në garë duke i ditur të gjitha vështirësitë që ka gara. Jam këtu pët të mbojmë çdo votë, sepse e konsiderojmë si amanet të gjithësecilit. Kjo është një bimë e re që ne po e mbjellim me shumë dinjitet dhe janë 70 mijë vota dinjiteti. Mandati nëse e marrim ne i hiqet PS-së”, tha Lapaj, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)