''Zgjedhje konkurruese, por...''/ Si ODIHR, BE tregon çfarë nuk shkoi me procesin

Nga A2 CNN
13 Maj 2025, 18:27 | Politikë

Bashkimi Europian reagoi për zgjedhjet në Shqipëri. Duke qëndruar në linjën e gjetjeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, BE thotë se zgjedhjet u menaxhuan përgjithësisht në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke vlerësuar ditën e qetë të zgjedhjeve, pavarësisht disa mangësive.

“Zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, dhe kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me kërcënime. Megjithatë, votimi u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilin garuesit nuk gëzonin një fushë loje të barabartë”, lexohet në deklaratën e BE-së, shkruan A2.

Ashtu si OSBE/ODIHR, edhe në deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE, Maria Kallas dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, “Për shkak të përdorimit të gjerë të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, mundet që shumica qeverisëse të kishtenjë avantazh të pushtetit”. 

“Për shkak të përdorimit të gjerë të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, mundet që shumica qeverisëse të kishte një avantazh të pushtetit. U bënë akuza të shumta për presion mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë. Përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore janë një zhvillim i mirëpritur dhe ndjekja e tyre është e nevojshme në mënyrë që të adresohen shqetësimet e vazhdueshme të keqpërdorimit zgjedhor. Pavarësia e medias vazhdon të jetë një problem dhe mbulimi i saj zgjedhor ka vazhduar t'u japë rëndësi partive kryesore dhe transparenca e financimit të fushatës gjithashtu mbeti e kufizuar. BE-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit”, thotë BE.

Bashkimi Europian inkurajoi Shqipërinë të bëjë të gjitha reformat e kërkuara për anëtarësimin në BE, mes të cilave edhe atë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. BE nënvizon se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar, ndaj në këtë deklaratë përsëritet thirrja për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Në deklaratën zyrtare theksohet se të gjitha partitë politike, të gjithë sektorët e shoqërisë, nga organizatat e shoqërisë civile deri te komunitetet lokale, kanë një rol për të luajtur në avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit të vendit në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos