Alibeaj flet për rezultatin zhgënjyes në zgjedhje: Gjithçka përcaktohet nga makineria financiare

Nga A2 CNN
2 Qershor 2025, 22:28 | Politikë

Alibeaj flet për rezultatin zhgënjyes në zgjedhje:

Enkelejd Alibeaj në Debat me Alba Alishanin foli dhe për rezultatin zhgënjyes që koalicionin Djathtas për Zhvillim mori në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Teksa deklaroi se nuk është nga ata njerëz që e hedh përgjegjësinë te të tjerët, Alibeaj tha në A2 se ai së bashku me kolegët nuk mundën të provonin se politikë mund të bësh edhe pa para, pavarësisht qëndrimeve të forta të mbajtura ndër vite.

“Rezultati nuk ishte ai që prisnim. Nuk e shoh problemin te të tjerët. E dija që do vidhnin këta të PS. E dija që kishin para këta të PD. Prisja një vlerësim tjetër. Mendonim që kishim një qëndrim qoftë me mbështetjen e drejtësisë, me maturi politike. Kemi mbajtur qëndrime të forta dhe nuk jemi zvarritur në karrige. Donim të jepnim një shembull që edhe pa financa bëhet politikë.

Mesa duket hierarkia e makinerisë financiare përcaktoi dhe rezultatin. Pushteti nuk kishte limite në para, por as këta të PD nuk mbetën pas, derisa harxhuan 6 milionë dollarë para fushatës. Vetëm dekorimi në mitingje kushton shumë para. Aftësia e mobilizimit të financave përcakton gjithçka në politikë”, tha Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos