11 maji në kalendat greke, ankimet shtyhen sërish, KQZ nuk i kthen përgjigje PD

Nga Ervin Koçi
2 Qershor 2025, 20:15 | Politikë

Procesi i shqyrtimit të ankimimeve zgjedhore është futur në kalendat greke. Kjo e hënë solli sërish shtyrjen e tre kërkesave të depozituara nga Partia Demokratike dhe arsyeja kryesore është mungesa e informacioneve nga ana e KQZ-së.

Përfaqësuesja e KQZ në mbledhjen e KAS, Pavlina Doçaj zgjodhi që në shqyrtimin e kërkesës ankimore të debatonte me përfaqësuesit e PD-së, diçka e cila do të konsiderohej normale vetëm nëse do të ndodhte mes palëve politike. Përballë këtij veprimi, ndërhyri KAS.

Demokratët kërkojnë nga KQZ të dhëna sa i përket identifikimit elektronik të zgjedhësve brenda vendit, dhe të dhënat përsa i përket votimit nga jashtë. Por si në kërkesën e parë, ashtu edhe në të dytën, KQZ nuk ishte ende gati, pavarësisht se për të njëjtën arsye, kishte ndodhur shtyrja e parë e vendimit.

Ky ritëm i administratës së KQZ dukshëm po ndikon në shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore, por edhe qëndrimet politike po japim efektet e tyre. Një nga pesë anëtarët e KAS, Ilirjan Rusmali, për demokratët nuk duhet të qëndrojë në sallë nën argumentin se është në konflikt interesi. Por kjo kërkesë u rrëzua nga anëtarët e tjerë paraditen e të hënës, çka solli kryqëzimin e kanaleve të komunikimit në seancat publike.

Tentativa e tretë për të dhënë një vendimmarrje për qarqet Kukës, Lezhë e Shkodër do të jetë të enjten ku KAS i dha sërish kohë KQZ që të përgatisë të dhënat për palën ankuese.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos