Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se protesta e një dite më parë nuk ishte organizuar siç duhej dhe se PD duhet të ndërmarrë forma shumë më të forta reagimi. I ftuar në emisionin Off The Record nga Andrea Danglli në A2 CNN, Alimehmeti theksoi se ajo që PD e quajti protestë, ishte në fakt një platformë e butë diskutimi, e cila nuk mund të gjeneronte pjesëmarrjen e kërkuar.
“Nevojiten protesta të fuqishme, dinamike, energjike dhe të vazhdueshme. Ka forma të ndryshme ndërhyrjeje: ngujim, grevë urie, dhe shumë mjete të tjera të forta që mund të përdoren,” u shpreh ai. Sipas Alimehmetit, demokratët do t’u përgjigjeshin këtyre formave radikale, por jo një aktiviteti të zbehtë si ai i një dite më parë.
Ai shtoi se PD duhet të konsultojë strukturat dhe anëtarësinë përpara çdo veprimi: “Duhet të ishim pyetur. Duhej të ishte një kauzë më e fortë dhe më e qëndrueshme.”
I pyetur nëse ishin bërë mirë llogaritë, Alimehmeti u shpreh prerë: “Jo, llogaritë nuk janë bërë mirë. Protesta ka tre elemente kyçe: kauzën, organizimin dhe përfaqësimin. Kauza është e drejtë dhe nuk diskutohet, por organizimi ka çaluar dhe përfaqësimi ka qenë i dobët.”
Ai kritikoi sidomos faktin që protesta u udhëhoq kryesisht nga deputetë të dalë nga listat e mbyllura, të cilët, sipas tij, kanë nivel të ulët përfaqësimi publik: “Këta deputetë nuk kanë qenë në terren dhe përfaqësimi i tyre është i dobët.” (A2 Televizion)
