“Asgjësim politik i Ramës”, Urimi i SHBA për zgjedhje, Berisha: As nuk mohohet e as pohohet farsa

Nga Anesti Barjamemaj
28 Maj 2025, 15:16 | Politikë

Gjuha e zgjedhur nga amerikanët në reagimin e tyre të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, nuk i dha mundësinë Sali Berishës të gëzojë, por kryedemokrati lexoi mes rreshtave të munguar të deklaratës së Ambasadës së ShBA, për të dhënë interpretimin e tij.

“Merr e lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet, për ta kuptuar shumë më mirë se cili ishte thelbi i deklaratës. Kjo është përgjigja ime. Lexoni ato të vitit 2021, si kanë qenë. Lexoni vitin 2021... Urohen shqiptarët. As nuk mohohet as nuk pohohet farsa. Faktikisht është asgjësimi i Edi Ramës”, tha ai.

Berisha në fakt para mediave kishte dalë për tjetër qëllim, faktimin e asaj që e quan farsë zgjedhore. Akuzave për manipulim, i shtoi disa procesverbale me numër të barabartë votash për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore, shkruan A2 CNN. “Asnjë njeri të mos mendojë se akuzat tona nuk kanë mbështetje në dokumente dhe prova materiale të pakundërshtueshme. Sot ne fillojmë për t’u paraqitur ju disa rezultate që flasin vetë. Në Fier, siç e shihni, PD dhe koalicioni në këtë kuti merr 21 vota kundrejt 341 votave të PS”.

Pohoi se të gjitha rezultatet e miratuara nga Celibashi do të ankimohen, ndaj kërkoi prej tij vënien në dispozicion të të gjitha dokumentacioneve. Ndërsa sa i përket votave nga jashtë, e specifikisht atyre nga Greqia, paralajmëroi padi kundër kreut të KQZ nëse konfirmohet shkelja e kontratës me postën ndërkombëtare. “Ndaj Celibashit, ai që e ka autorizuar këtë. Përgjegjësinë ligjore e ka ai që ka autorizuar këtë”.

Berisha kërkoi durim nga qytetarët, pasi siç premtoi demokratët disponojnë të gjitha dokumentet për të faktuar atë që e quajnë farsë elektorale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos