Raporti i tranzicionit të BERZH: Shqipëria të frenojë emigrimin dhe të diversifikojë ekonominë

Nga Marjo Brakaj
28 Maj 2025, 15:05 | Politikë

Qymyr, krom, bujqësi, fason, Call Center e së fundmi ndërtim, shitblerje pronash dhe turizëm. Në dekadën e katërt të tranzicionit, ekonomia shqiptare po rezulton e paaftë për të përmirësuar e aq më pak për të ndryshuar veten. Së paku në tre dekadat e fundit ekonomia ka ecur në të njëjtat shina, duke kopjuar veten ndërsa politikat e ndërmarra kanë tentuar kryesisht përfitime afatshkurtra, shkruan A2 CNN. Por sot vendi ka nevojë për hapa konkretë drejt modelimit të ekonomisë vlerëson Banka e Shqipërisë, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të digjitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht. Këto “shërbime të inovacionit global” — si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave — janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale”, tha Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Teksa prezantoi raportin e tranzicionit 2024-2025 për Shqipërinë, drejtoresha e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri, Ekaterina Solovova njoftoi se në 5 vitet e shkuara, veç asistencës teknike BERZH ka financuar 900 milionë euro në Shqipëri.

“Kjo synon të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prioritetet e strategjisë sonë për vendin janë tërësisht të harmonizuara me strategjinë globale të BERZH që përmenda më lart, ndërkohë që janë përshtatur me prioritetet dhe nevojat të Shqipërisë. Prioriteti i parë është përshpejtimi i kalimit drejt ekonomisë së gjelbër, do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj për të diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme”, tha Ekaterina Solovova, Drejtoresha e zyrës së BERZH-it në Shqipëri.

“Strategjia gjithashtu synon të ndihmojë sektorin privat shqiptar që të përgatitet për akses në tregun e përbashkët evropian. Kjo do të arrihet përmes rritjes së financimit direkt dhe indirekt, përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe integrimit të bizneseve shqiptare në zinxhirët globalë të vlerës. Financimi do të shoqërohet me asistencë teknike të shënjestruar për rritjen e produktivitetit dhe nxitjen e inovacionit”, tha Zsoka Koczan, Drejtorja e Asociuar në BERZH.

Me negociatat e anëtarësimit “nëpër këmbë” Shqipëria duhet të zhvillojë një ekonomi që prodhon pasuri dhe mirëqenie për të gjithë, lehtëson pabarazinë, promovon konkurrencën dhe punon në një mjedis të shëndetshëm biznesi- këshillon BERZH. Po që kjo të arrihet, politikat qeveritare dhe biznesi duhet ta vlerësojnë edhe më shumë individin, si kapitalin më të çmuar në një shoqëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos