“Nuk mund të ketë Reformë Zgjedhore pa praninë e ODIHR-it.” Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, duke theksuar se demokratët nuk janë të kënaqur me tërheqjen e socialistëve, të cilët kanë pranuar krijimin e një komisioni të posaçëm për Reformën Zgjedhore me bashkëkryetar që ka të drejtë vetoje.
Berisha sqaroi se opozita do të ulet në tryezë me shumicën vetëm pasi të ftohen ekspertët e ODIHR-it.“Do ftohet dhe do t’i dërgohet ftesë ODIHR-it. Pasi të pranojnë ftesën, duhet të vijë një ftesë nga të gjitha palët, pozita dhe opozita. Natyrisht, me praninë e ODIHR-it jemi të gatshëm të shqyrtojmë një e nga një të gjitha rekomandimet e misioneve të vëzhgimit, të cilat nga viti 2013 e deri sot nuk janë marrë parasysh,” deklaroi Berisha.
Sa i takon Reformës Territoriale, ai pohoi se PD i qëndron draftit të dorëzuar vite më parë, por edhe në këtë rast vendos kushte për dialog, shkruan A2 CNN.
“Kemi një kusht të panegociueshëm: praninë e përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës,” theksoi ai.
Lidhur me çështjen e Avokatit të Popullit, Berisha u shpreh se nuk është i surprizuar nga vendimi i mazhorancës për ta zgjedhur vetëm.
“Duan të marrin edhe institucionin e vetëm që dikur ka qenë në ujdi me opozitën. Le ta marrin! Edi Rama i pangopur do çdo pushtet në duart e tij, por të jetë i sigurt se nuk do të na imponojë kurrë të votojmë kandidatë që nuk i meritojnë,” deklaroi Berisha, duke shtuar se për të, kandidatura më e mirë mbetet Besim Ndregjoni. (A2 Televizion)