Baçi: Ata meritojnë jo vetëm librat, por edhe karrigen në kokë. Por, nuk duhet t’u japim shkak

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 13:41 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, deklaroi se e mira do të ishte që opozita mos t’i bënte veprimet që u panë në seancë plenare, por shtoi se mazhoranca meriton jo vetëm t’u hedhësh librat, por edhe karriget.

“Mirë do të ishte të mos bëheshin veprimet me hedhje librash apo bidonash. Ata meritojnë jo vetëm librat, por edhe karrigen ta marrësh e t’ia hedhësh në kokë të gjithëve, por ne nuk duhet t’u japim atyre shkak. Ata pretekst duan që ta shesin te opinioni se opozita bën veprime të pahijshme, në shkelje të rregullores, dhe prandaj marrim masa”, tha Baçi, shkruan A2.

“Ne e dimë mirë që Rama nuk e pranon përballjen sepse nuk ka argumente dhe gjithmonë do të gjejë mënyra për të provokuar opozitën. Por, vendoseni veten pak në vendin e opozitës. Çfarë mund të bësh kur të vendosin në shpatulla pas muri dhe duhet të reagosh. Nëse nuk reagojmë, i bie që të ikim farë nga Parlamenti dhe po ikëm nga Parlamenti, jemi prapë fajtorë se e braktisim Parlamentin. Ne argumentojmë shkeljet e Kushtetutës, por ata vazhdojnë me arrogancën e tyre dhe me fuqinë e kartonit. Ato janë momente reagimi, me të drejtë, të disa deputetëve. Nuk është vendim i grupit parlamentar, janë veprime emocionale të detyruara nga mazhoranca. Nuk ishte rënie në kurth, nuk ishte as programim i grupit parlamentar të opozitës sepse ishim përgatitur për të shfrytëzuar 10 minutat që kishim secili si deputet”, shtoi deputeti demokrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos