Berisha nuk jep emra: Kandidatin për Tiranën do e zgjedhim bashkë me aleatët

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 13:16 | Politikë

Berisha nuk jep emra: Kandidatin për Tiranën do e zgjedhim bashkë

Sali Berisha në një konferencë për mediat ju përgjigj interesit të gazetarëve për të mësuar se cili do të jetë kandidati i Partisë Demokratike që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës.

Ai u shpreh se nuk është i autorizuar për të nxjerrë emra, por nënvizoi se PD ka disa emra potencialë, të cilët janë sipas tij shumë herë më të mirë se sa ish-ministrja e Shëndetësisë dhe Arsimit.

“PD ka jo një, por disa kandidatë të shkëlqyer, të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit, e cila përbën kandidaten më të zezë në tërë historinë e qytetit të Tiranës. Po unë besoj se kandidatët nuk mund të jenë gjë tjetër veçse emra. Ka emra... nuk jam unë i autorizuar të nxjerr emra këtu, por të siguroj që PD ka kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Covid-it, përgjegjëse direkte me vjedhjet e tmerrshme të fondeve dhe politikave që ndoqi gjatë pandemisë së Covid-it, duke i çuar vdekjet e shqiptarëve në nivelet më të larta në botë. Pra, ka pa diskutim jo një, por disa kandidatura”, tha Berisha.

Në vijim Berisha sqaroi se PD po punon për të hyrë në koalicion në këto zgjedhje të pjesshme, madje duke lënë të hapur mundësin e kandidimit të një emri nga aleatët opozitarë.

“Janë dy momente të rëndësishme. Së pari, PD do të bëjë përpjekje të hyjë me koalicion. Ne do përpiqemi të rakordojmë, biem në ujdi në bashkëpunim me ato parti që ndihen opozitare. Aty pastaj, sigurisht, debati do të jetë për kandidaturat. Ne nuk themi që, o kandidatura jonë, o nuk ka koalicion me ne. Por secili është i vetëdijshëm që zë kryesor për përzgjedhjen do të jetë PD. Prandaj dhe pasi të ulemi me aleatët dhe partitë opozitare të tjera, aleatë në tërësi, të debatohet, të diskutohet, do të ua japim kandidatin. PD ka jo një, por disa kandidat të shkëlqyer, brenda, jashtë kudo. Nuk kemi asnjë problem”, deklaroi kreu i PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos