Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një video nga godina e Kuvendit, ku pritet dhe seanca e radhës plenare.
Gazment Bardhi tregon se Kuvendi është rrethuar me gardistë, duke e cilësuar këtë gjë si një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar.
“Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes! Dera kryesore e tij e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë.
Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!
Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.
Kujtojmë se opozita ka vijuar aksionin e saj i cili është përshkallëzuar pas burgosjes së deputetit demokratik, Ervin Salianji.
Mazhoranca nga ana e saj ka përjashtuar 24 deputetë të opozitës, pasi kjo e fundit dogji dhe karriget, në shenjë simbolike jashtë godinës së Kuvendit. (A2 Televizion)