Shqipëria ka çelur grup-kapitullin e parë të negociatave. Në një lidhje përmes Skype me Andi Nurajn në A2 CNN, ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni, vlerësoi kontributin e administratës publike dhe reformat. Ajo nënvizoi se ky proces është ndërtuar mbi parime meritokratike dhe se Shqipëria e ka fituar të drejtën e negociatave falë përpjekjeve dhe reformave.
“Reforma në administratën publike zë një vend qendror përgjatë gjithë procesit të negociatave, duke qenë një nga kriteret më të rëndësishme për funksionimin e shtetit. Shqipëria do të monitorohet gjatë gjithë kohës për zbatimin e detyrimeve të saj. Shqipëria ka sistem solid për koordinimin e politikave të ofrimit të shërbimeve publike dhe atyre online. Është lavdëruar menaxhimi i financave publike. Shqipëria konsiderohet si lider rajonal në këtë fushë”, tha Pirdeni në A2.
Sipas saj këto arritje janë dëshmi e angazhimit të fortë të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane dhe hapin derën për avancime të mëtejshme në drejtim të integrimit në BE.
Ajo nënvizoi angazhimin e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar strukturat administrative që do të mbështesin procesin e negociatave.
Pirdeni theksoi rëndësinë e “punës së pandërprerë të 1,700 zyrtarëve që kanë kontribuar në këtë rrugëtim, duke përfshirë fusha kritike si drejtësia, bujqësia, transporti dhe siguria ushqimore”, u shpreh ajo në A2.
Sipas saj, Shqipëria ka arritur një nivel të avancuar në zbatimin e reformës në drejtësi, çka e bën atë konkurruese me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja tregoi optimizëm për hapjen e kapitujve të rinj brenda këtij viti, duke theksuar se “procesi i negociatave është i shoqëruar nga sfida teknike dhe politike që kërkojnë konsensus ndërmjet vendeve anëtare”.
“Objektivi për anëtarësim deri në vitin 2030 nuk është thjesht ambicioz, por është i mbështetur nga një vlerësim realist i Komisionit Evropian, si edhe nga vullneti i Parlamentit Evropian. Procesi përfshin dy dimensione: teknike, për përmbushjen e standardeve të BE-së, dhe politike, ku çdo vend anëtar ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij”.
(A2 Televizion)