Jo vetëm demokratët, por dhe socialistët kanë dalë kundër projektit të Edi Ramës për ta ndarë territorin e 46 bashki. Kryetarja e bashkisë Juliana Memaj në studion e Ditarit të Fundjavës në A2 CNN e shprehu hapur që është kundër bashkimit të Dimalit me Beratin, siç ka propozuar partia e saj mazhoranca Socialiste.
“Në 2021, në fund të prillit mori emrin Bashkia Dimal. Shumë keq që dimaliotët mos ta gëzonin shtëpinë e tyre të re”, tha ajo.
Kryebashkiakja akuzon se vendimi është marrë në mungesë të transparencës pasi sipas saj treguesit e bashkisë që drejton janë pozitive. “Si mund të shkrihet një bashki e cila tregon që ka rritje të popullsisë? Pse duhet të shkrihet një bashki që investon me të ardhurat e veta edhe sot? Aq sa e ka investuar bashkia Dimal në këto vite, ka investuar dhe qeveria shqiptare aty. Si do të merret më mirë shërbimi në bashkinë Berat kur vetë distanca nga qendra është 23 km?”, tha ajo.
Varianti për t'i lënë këto njësi vendore si qytete sipas kryebashkiakes së Dimalit nuk do t'i shërbejë qytetarëve. “Nënkryetari është një lloj si një administrator njësie. Që të kesh fuqi duhet të kesh në radhë të parë buxhetin tënd”.
Për këtë arsye Juliana Memaj i kërkon Partisë Socialiste që të mos mjaftohet vetëm me mendimin e kryetarëve dhe këshillave bashkiak, por të marrin edhe mendimin e qytetarëve të cilët kanë dalë në protesta. “Duket që protestat do të vijojnë. Mendimi qytetar duhet dëgjuar”, u shpreh ajo.
Partia Socialiste në mënyrë të njëanshme, pasi prishi dialogun në Partinë Demokratike, propozoi një strukturë me tre nivele, 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative. (A2 Televizion)