BE e keqardhur me Kuvendin: Shqiptarëve iu privua informimi për programin e qeverisë

Nga Ervin Koçi
19 Shtator 2025, 14:55 | Politikë

Konflikti politik në seancën plenare nuk la një shije të mirë te përfaqësuesit e Brukselit në Tiranë. A2 CNN e pyeti zyrën e delegacionit të BE-së lidhur me qasjen e tyre lidhur për konfliktin e krijuar, ku me gjuhën dilpomatike, duket se fajtorë bëjnë të dyja palët.

“Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t'u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit”.

Vijimi i konfliktit politike duket diçka që pa vend për zyrën e delegacionit, i cili shprehet e i gatshëm për të shtyrë përpara rikthimin e normalitetit në sallën e Kuvendit, shkruan A2 CNN.

“Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE”.

Përparimi drejtë anëtarësimit në Bashkimin Europian ka si kriter edhe dialogun politik në vend, diçka e cila është nënvizuar në mënyrë të përsëritur në raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos