
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për media të mbajtur ditën e sotme, komentoi mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu, e cila u sulmua me tritol gjatë mesnatës.
Berisha e cilësoi këtë si një akt të pastër terrorizmi shtetëror ndaj një deputeti dhe familjes së tij, duke shtuar se masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka shkaktuar dëme edhe në zonën përreth.
Sipas tij, ky sulm është një përpjekje për të mbyllur gojën e opozitës, ndërsa akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama dhe strukturat e shtetit për lidhje me bandat kriminale që, siç tha, sot janë ‘pronë totale e qeverisë’, shkruan A2 CNN.
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë deklaratës së tij për ngjarjen e rëndë që ndodhi në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu, e cila u sulmua me tritol, u shpreh se policia është ‘thellësisht dhe tmerrësisht e politizuar’ dhe se besimi se ajo mund të zbardhë krimin politik është një ‘iluzion’.
Fjala e plotë e Berishës:
Së pari me një ndjesë për këtë shtytje të detyruar të konferencës për shkak, e kuptoni vetë, të një trafiku të pashembult që ekziston në rrugët e Tiranës.
Dhe zoti Mziu, që është nisur me kohë për të ardhur në këtë konferencë, iu desh trefishi i kohës.
Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij.
Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërore.
Bandat janë sot pronë totale e shtetit.
Masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth.
Ky akt vjen pas qëndrimit të djeshëm antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës.
Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve.
Për të gjitha këto, e garantoj Edi Ramën se do mbajë përgjegjësi maksimale.
Keni parasysh se policia është thellësisht dhe tmerrësisht e politizuar.
Po u rikujtoj këtu, i nderuar zotëri, dhe qytetarëve se kohë më parë, kur unë paraqita para jush rastin e zyrës elektorale sekrete të PS në qendrën e votimit në Pekisht, në të cilën u gjetën fletë votimi, paund, lekë, karta identiteti, u gjet i gjithë dokumentacioni, polici, i cili bëri detyrën dhe mori në procedim pronarin e barit, u ndëshkua nga Proda i krimit.
U ndëshkua!
Unë nuk mund të them se çdo segment i policisë është i infiltruar nga krimi, por të besosh se do e zbardhë, do e pranojë të zbardhin krimin politik policia, është një iluzion. (A2 Televizion)