Vetëm pak orë pasi Presidenti Begaj, për mikrofonin e A2 CNN, u shpreh se nuk është penduar për dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, pavarësisht pezullimit nga Gjykata Kushtetuese, Sali Berisha e komentoi pa habi deklaratën e Kreut të Shtetit.
“Duhet të kesh ndërgjegje njerëzore, ky është reagimi im; duhet të kesh integritet njerëzor që të pendohesh. Në qoftë se do të thoshte ‘u pendova’, kjo do të më habiste. Kurse kjo tjetra, asnjë çudi. Ky është kukulla e Edi Ramës. Historik kukulle”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Lideri i Partisë Demokratike pohon se as socialistët nuk do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Referuar një mesazhi të dërguar nga drejtuesit e selisë rozë për strukturat e Tiranës, për të vijuar fushatën, Berisha e cilësoi si një mosrespektim të trupës kushtetuese.
“Pasi mori një goditje fatale nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama njoftoi se do të vazhdojë në rrugën ‘Xhaçka’, do të bëjë atë që bëri me Xhaçkën. Por i garantoj qytetarët e Tiranës se, duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke dënuar me forcën më të madhe edhe njëherë aktin e shëmtuar dhe të papërgjegjshëm të presidentit kukull të Edi Ramës, asgjë nuk do të mund të nxirret jashtë kuadrit kushtetues”, shtoi Berisha.
Kreu i opozitës foli edhe për disa thashetheme që, sipas tij, i vijnë nga burgu i Durrësit, teksa aludoi se Veliaj është nxjerrë nga qelia pak netë më parë drejt një destinacioni të paditur.
“Tani kanë qarkulluar shumë, të themi, ‘gosipe’. Njëri prej tyre është se burgu ka lajme dhe ‘gosipe’. Njëri prej tyre është se para tre netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Të kalamendur. Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë”.
I pyetur lidhur me deklaratën e kandidatit Florian Binaj, i cili ka pohuar se do të bëjë fushatë pa mbështetjen e liderëve të opozitës, Berisha tha se e mbështet këtë qëndrim dhe shtoi se kjo tregon që kandidatura është e pavarur. (A2 Televizion)