Ish-sulmuesi i Kombëtares, Indrit Fortuzi, mendon se në rast humbjeje me Serbinë, aventurës së Sylvinhos me kuqezinjtë do i vijë fundi.
“Objektivi ynë ishte vendi i dytë në grup dhe nëse nuk arrihet objektivi, besoj që epoka Sylvinho ka mbaruar. Pati arritje, pati përfaqësim dinjitoz në Europian, por mendoj se hapi i madh nuk u bë. Nuk mendoj se është faji i Sylvinhos, por kështu e ka futbolli. Mbase duhet një frymë tjetër”, tha Fortuzi në një lidhje direkte me studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
“Pas kualifikimit në dy Europianë, hapi tjetër është Botërori. Mendoj që ka ardhur koha për Shqipërinë që të kualifikohet në një Botëror”, shtoi Fortuzi.
Edhe Gilman Lika mendon se nëse nuk arrihet kualifikimi në Botëror, Sylvinhos i duhet “dhënë dora”.
“Nëse qëllimi nuk arrihet, do të jetë shumë e vështirë të vazhdohet me të”, tha ish-futbollisti i Kombëtares. (A2 Televizion)