Gjin Gjoni, deputet i Partisë Demokratike, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, njoftoi se PD-ja do angazhohet për një “referendum popullor për të mos lejuar në mënyrë më absolute që ligji për barazinë gjinore të zbatohet, sidomos në shkolla dhe në jetën civile”.
“Bashkimi Europian nuk imponon uniformitet në çështjet e identitetit gjinor dhe në çdo shtet ruan të drejtën e vet sovrane për të përcaktuar se çfarë nënkupton gjinia në rendin e tij juridik. Pra, asnjë direktivë e Bashkimit Europian nuk ka në mënyrën më absolute që të jetë i përcaktuar ky ligj që kërkohet të kalohet nga shteti shqiptar. Ne po përdorim të gjithë mekanizmat dhe sot ka qenë pjesë e diskutimit edhe çuarja në Gjykatë Kushtetuese e këtij ligji, por ne do angazhohemi bashkë me shoqërinë civile, dhe me komunitetet fetare që të firmosim referendum popullor për të mos lejuar në mënyrë më absolute që ky ligj të zbatohet, sidomos në shkolla dhe në jetën civile”, tha Gjoni.
“Ne e dimë se çfarë veprimesh kryen Presidenti dhe ka kryer Presidenti gjatë gjithë periudhës së tij të ushtrimit të funksionit. Besimi i Partisë Demokratike, edhe pas mocionit të shkarkimit, nuk është tek Presidenti i Republikës. Ne do të shohim të gjitha opsionet e mundshme, por mbledhja e firmave dhe sensibilizimi popullor është një nga elementët e parë të cilët kërkojmë që njerëzit ta kuptojnë se çfarë ligji është miratuar”, shtoi deputeti demokrat.
(A2 Televizion)
